ENTI RREGULLATOR I ENERGJISË
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) është person juridik publik, i pavarur nga interesat e industrisë së energjisë dhe nga organet shtetërore, i cili ushtron funksionet dhe kompetencat e tij rregullatore në sektorin e energjisë elektrike dhe të gazit natyror.
ERE është krijuar në vitin 1995 dhe aktualisht ushtron veprimtarinë e saj në përputhje me ligjin nr. 59/2026 “Për sektorin e energjisë elektrike” dhe ligjin nr. 102/2015 “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar.
Misioni i ERE-së në sektorin e energjisë elektrike
Misioni i ERE-së është të kontribuojë në garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike, zhvillimin e një tregu funksional, konkurrues, transparent dhe të integruar, mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të klientëve, si dhe integrimin e tregut shqiptar me tregjet rajonale dhe tregun e integruar europian të energjisë elektrike.
Në përputhje me ligjin nr. 59/2026 “Për sektorin e energjisë elektrike” dhe ligjin nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, ERE rregullon dhe mbikëqyr sektorin dhe tregun e energjisë elektrike, duke ushtruar kompetencat e saj në lidhje me licencimin dhe regjistrimin e veprimtarive, sipas përcaktimeve të ligjit, si dhe me veprimtaritë e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes, furnizimit dhe tregtimit të energjisë elektrike.
Në kuadër të funksioneve të saj rregullatore, ERE ushtron gjithashtu kompetencat që lidhen me funksionimin dhe monitorimin e tregut të energjisë elektrike, depozitimin e energjisë, agregimin, reagimin ndaj kërkesës dhe zhvillimin e mekanizmave të fleksibilitetit, si dhe me zhvillimin dhe operimin e pikave të rikarikimit të automjeteve elektrike, në përputhje me kompetencat që i përcakton legjislacioni në fuqi.
Në funksion të nxitjes së përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme dhe integrimit të saj në tregun e energjisë elektrike, ERE ushtron kompetencat që i ngarkohen nga ligji nr. 24/2023, përfshirë funksionet që lidhen me garancitë e origjinës dhe administrimin e regjistrit elektronik përkatës, si dhe kompetencat e tjera rregullatore që lidhen me pjesëmarrjen dhe integrimin në treg të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme.
ERE miraton, sipas kompetencave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, tarifat dhe metodologjitë përkatëse, kodet, rregullat dhe aktet e tjera rregullatore, si dhe mbikëqyr garantimin e aksesit transparent dhe jodiskriminues në rrjet.
Një pjesë e rëndësishme e misionit dhe veprimtarisë së ERE-së lidhet me mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të klientëve, përfshirë të drejtat e klientëve aktivë, monitorimin e cilësisë dhe sigurisë së furnizimit, nxitjen e konkurrencës efektive, mbështetjen e integrimit të burimeve të rinovueshme dhe teknologjive të reja në sistemin energjetik, si dhe krijimin e kushteve rregullatore për integrimin e tregut shqiptar të energjisë elektrike me tregjet rajonale dhe tregun e integruar europian të energjisë elektrike.
Misioni i ERE-së në sektorin e gazit natyror
Në sektorin e gazit natyror, ERE ushtron funksionet e autoritetit rregullator në përputhje me ligjin nr. 102/2015 “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar.
Misioni i ERE-së është të kontribuojë në garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me gaz natyror dhe në zhvillimin e një tregu konkurrues dhe të integruar me tregjet rajonale dhe europiane, duke mbrojtur interesat e klientëve dhe duke garantuar cilësinë e shërbimit, kostot e arsyeshme dhe respektimin e kërkesave për mbrojtjen e mjedisit.
Në përmbushje të këtij misioni, ERE ushtron kompetencat e saj rregullatore për transmetimin, shpërndarjen, furnizimin, tregtimin dhe depozitimin e gazit natyror, si dhe operimin e impianteve të GNL-së. ERE licencon veprimtaritë përkatëse, miraton tarifat, metodologjitë, kodet dhe rregullat sipas kompetencave ligjore, garanton aksesin transparent dhe jodiskriminues në sistemet e gazit natyror, monitoron funksionimin dhe konkurrencën në treg, mbron interesat e klientëve dhe bashkëpunon me autoritetet kombëtare, rajonale dhe europiane për zhvillimin dhe integrimin e tregut të gazit natyror.
Në ushtrimin e funksioneve të saj në të dy sektorët, ERE vepron në mënyrë të pavarur, transparente, objektive dhe jodiskriminuese, duke synuar mbrojtjen e klientëve, funksionimin eficient të tregjeve, sigurinë dhe cilësinë e furnizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë.